Takim institucional për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional
Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, së bashku me Prorektoren për Mësimdhënie dhe Çështje të Studentëve, Prof. Dr. Sindorela Doli-Kryeziu, zhvilluan një takim zyrtar me Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, Kolonel Lumni Graishta.
Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të përpjekjeve të përbashkëta për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të përshtatshëm për zhvillimin e veprimtarisë akademike.
Në fokus të takimit ishte zbatimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për angazhimin e zyrtarëve policorë në sigurimin e objekteve, si dhe forcimi i mbështetjes dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë aktualisht është në proces të zhvillimit të procedurave të prokurimit për kontraktimin e shërbimeve të sigurimit fizik të objekteve universitare. Në këtë kontekst, bashkëpunimi dhe koordinimi i vazhdueshëm me institucionet kompetente vlerësohen si të rëndësishme për mbarëvajtjen e proceseve institucionale dhe garantimin e një ambienti të sigurt për studentët, stafin akademik dhe administrativ.
Palët shprehën gatishmërinë për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në funksion të sigurisë, mbështetjes dhe mbarëvajtjes së veprimtarisë së Universitetit.