UFAGJ vlerësohet pozitivisht në procesin e post-akreditimit institucional: përmbush 84% të rekomandimeve

UFAGJ vlerësohet pozitivisht në procesin e post-akreditimit institucional: përmbush 84% të rekomandimeve

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë është vlerësuar pozitivisht në procesin e post-akreditimit institucional. Sipas raportit përfundimtar të ekspertëve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), UFAGJ ka përmbushur 84% të rekomandimeve të dala nga procesi i akreditimit institucional.

Raporti konstaton se Universiteti ka ndërmarrë veprime konkrete për zbatimin e 31 nga gjithsej 37 rekomandime. Ky rezultat pasqyron progresin e vazhdueshëm të UFAGJ-së dhe angazhimin institucional për ngritjen e standardeve akademike, administrative dhe organizative.mPërparimi i Universitetit është evidentuar veçanërisht në sigurimin e cilësisë, mësimdhënie dhe të nxënë, mbështetjen e kërkimit shkencor, zhvillimin profesional të stafit, shërbimet për studentët dhe forcimin e rolit të Universitetit në komunitet. Ky vlerësim pozitiv dëshmon për seriozitetin, përgjegjësinë dhe bashkëpunimin e strukturave të Universitetit në zbatimin e rekomandimeve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të proceseve të brendshme.

Menaxhmenti i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë do të mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj vazhdimit të reformave, përmbushjes së rekomandimeve të mbetura dhe fuqizimit të mëtejshëm institucional, me synim ngritjen e cilësisë dhe avancimin e Universitetit në të gjitha fushat e veprimtarisë së tij.

Me këtë rast, Rektori Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku në emër të Menaxhmentit të lartë, i falënderon stafin akademik dhe administrativ, studentët, organet drejtuese dhe të gjithë ata që kanë kontribuar drejtpërdrejt ose tërthorazi në këtë proces. Ky rezultat përbën një arritje të përbashkët për zhvillimin dhe të ardhmen e Universitetit.

 

tp-bottom