Përfundon me sukses vizita pas-akredituese institucionale në UFAGJ

Përfundon me sukses vizita pas-akredituese institucionale në UFAGJ

Më 11 qershor 2026, në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë u realizua me sukses vizita pas-akredituese institucionale, në kuadër të procesit të monitorimit të zbatimit të rekomandimeve që kanë dalë nga akreditimi institucional.

Në këtë proces morën pjesë eksperti ndërkombëtar, Prof. Milan Pol, dhe Zyrtarja e Lartë për Monitorim në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, znj. Leona Kovaçi.

Vizita kishte për qëllim vlerësimin e progresit të arritur në zbatimin e rekomandimeve të procesit të mëparshëm të akreditimit institucional, si dhe shqyrtimin e zhvillimeve dhe përmirësimeve të realizuara nga Universiteti gjatë periudhës 2024–2026.

Gjatë diskutimeve, eksperti ndërkombëtar Prof. Milan Pol theksoi progresin e dukshëm të UFAGJ-së gjatë periudhës 2024–2026 në zbatimin dhe përmbushjen e rekomandimeve të procesit të akreditimit institucional. Në këtë kuadër, u evidentuan zhvillimet dhe përmirësimet e ndërmarra në fushën e sigurimit të cilësisë, qeverisjes institucionale, mësimdhënies, kërkimit shkencor, ndërkombëtarizimit dhe shërbimeve ndaj studentëve.

Në kuadër të vizitës u zhvilluan takime të ndara me drejtuesit e institucionit, stafin akademik dhe administrativ, studentët dhe të diplomuarit – alumni të Universitetit. Përmes këtyre takimeve u prezantuan dëshmi konkrete për masat e ndërmarra, rezultatet e arritura dhe mekanizmat e vendosur në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm institucional.

Vizita shërbeu gjithashtu për evidentimin e të arriturave, sfidave dhe angazhimeve të mëtejshme të Universitetit në drejtim të avancimit të cilësisë në mësimdhënie, kërkim shkencor, qeverisje institucionale dhe shërbime ndaj studentëve.

Përfundimi me sukses i kësaj vizite dëshmon përkushtimin e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë për ngritjen e vazhdueshme të cilësisë, forcimin e kulturës së llogaridhënies dhe zbatimin e standardeve bashkëkohore të arsimit të lartë.

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë shpreh mirënjohje për Prof. Milan Pol dhe znj. Leona Kovaçi për qasjen profesionale, objektive dhe konstruktive gjatë gjithë procesit. Njëkohësisht, Universiteti falënderon stafin akademik dhe administrativ, studentët, alumnin dhe të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe kontributin e tyre në realizimin e suksesshëm të kësaj vizite.

UFAGJ mbetet i përkushtuar që progresin e arritur ta shndërrojë në bazë të fuqishme për procesin e riakreditimit institucional dhe për zhvillimin e mëtejshëm të Universitetit.

Article Gallery

tp-bottom