Dy studente në Itali: Përvojë akademike dhe profesionale në kuadër të Erasmus+

Dy studente në Itali: Përvojë akademike dhe profesionale në kuadër të Erasmus+

Dy studente të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë po përjetojnë një eksperiencë të vlefshme akademike dhe profesionale në Itali në kuadër të programit të mobilitetit Erasmus+. Përmes këtij programi, ata po ndjekin studimet në një mjedis ndërkombëtar, duke zgjeruar njohuritë dhe përvojat e tyre në fusha të ndryshme të shkencave mjekësore.

Studentet nga Fakulteti i Mjekësisë të UFAGJ-së janë duke ndjekur ligjeratat në Unviersitetin “Aldo Moro” të Barit, si pjesë e projektit COMMO VIII.

Aktualisht, studentët janë të angazhuar në tri lëndë të rëndësishme të mjekësisë: pediatri, gjinekologji-obstetrikë dhe kujdes për grupe të veçanta të popullsisë. Ky angazhim akademik po u mundëson atyre të avancojnë njohuritë teorike dhe praktike, si dhe të njihen me metoda dhe praktika bashkëkohore të mësimdhënies dhe kujdesit shëndetësor.

Përveç aspektit akademik, kjo përvojë po kontribuon edhe në zhvillimin personal të studentëve, duke i ndihmuar të fitojnë më shumë pavarësi, vetëbesim dhe aftësi komunikimi në një ambient multikulturor.

Studentet shprehen mirënjohës për mundësinë e ofruar në kuadër të programit Erasmus+ dhe krenarë që po përfaqësojnë fakultetin dhe universitetin e tyre në një institucion ndërkombëtar në Itali. Ato theksojnë se kjo eksperiencë po i motivon edhe më shumë për të vazhduar rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional me përkushtim dhe pasion.

 

Article Gallery

tp-bottom