Akreditohen 3 programe shtesë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë
Në mbledhjen e mbajtur më 20.04.2026 të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, janë shqyrtuar raportet e ekipeve të ekspertëve lidhur me programet e studimit të institucionit tonë dhe është vendosur për akreditimin e programeve si në vijim:
Në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë, janë akredituar dy programe të reja të rëndësishme:
- Kujdesi Shëndetësor në Komunitet (BSc, 180 ECTS), një program që synon të përgatisë profesionistë të aftë për të kontribuar drejtpërdrejt në mirëqenien dhe shëndetin e komunitetit.
- Shkencat Shëndetësore në Sport dhe Turizëm (BSc, 180 ECTS), një program bashkëkohor që ndërlidh shëndetin, aktivitetin fizik, sportin dhe zhvillimin e turizmit, duke reflektuar nevojat moderne të tregut të punës.
Të dy këto programe studimi janë akredituar për për një periudhë prej tre (3) vitesh.
Ndërkohë, Fakulteti i Edukimit ka arritur një sukses të rëndësishëm me:
- Riakreditimin e programit Edukim Fillor (BA, 240 ECTS), duke dëshmuar vazhdimësinë e cilësisë dhe përkushtimit në përgatitjen e mësimdhënësve të ardhshëm.
Ky program studimi është riakredituar për një periudhë prej tre (3) vitesh.
Këto arritje dëshmojnë qartë përkushtimin e Universitetit “Fehmi Agani” dhe njësive të tij akademike për cilësi dhe zhvillim të vazhdueshëm. Ato konfirmojnë përmbushjen e standardeve të larta të cilësisë në arsimin e lartë duke reflektuar një angazhim të qëndrueshëm për programe bashkëkohore dhe të përshtatura me nevojat e shoqërisë dhe tregut të punës.
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që kontribuan në këtë sukses duke filluar nga dekanët, bartësit e programeve, stafi akademik, stafi administrativ, studentët e deri te partnerët institucionalë , për angazhimin, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë procesit të akreditimit dhe riakreditimit.
Ky sukses është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të mëtejmë të universitetit, duke vazhduar misionin për të ofruar arsim cilësor dhe bashkëkohor.