UFAGJ vlerësohet lartë në raportin e ORCA-s për transparencë dhe llogaridhënie

UFAGJ vlerësohet lartë në raportin e ORCA-s për transparencë dhe llogaridhënie

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë është renditur ndër institucionet më transparente në Kosovë sipas raportit më të fundit të publikuar nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) për vitin 2025. Sipas këtij raporti, UFAGJ ka arritur një indeks të transparencës prej 0.94, duke publikuar mbi 90% të dokumenteve dhe informatave që kërkohen të jenë publike sipas standardeve të qeverisjes së mirë në arsimin e lartë.

Në këtë raport theksohet përkushtimi i Universitetit në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës institucionale, veçanërisht përmes vendimit për të transmetuar drejtpërdrejt mbledhjet e Senatit, si dhe fillimi i përgatitjeve për transmetimin e mbledhjeve të Këshillit Drejtues dhe këshillave të fakulteteve. Këto masa janë ndërmarrë në mënyrë proaktive nga udhëheqja e institucionit, pa ndonjë presion të jashtëm, si dëshmi e angazhimit të universitetit për një qeverisje të hapur. Gjithashtu, UFAGJ është institucioni i vetëm që ka publikuar të dhëna mbi numrin e studentëve të diplomuar ndër vite, një hap i rëndësishëm drejt transparencës së plotë akademike dhe administrative.

Me këtë rast Rektori i Universitetit, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, shpreh falënderime për të gjithë stafin dhe strukturat e përfshira në këtë arritje, duke theksuar se ky vlerësim është një nxitje për të vazhduar përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe hapjen ndaj publikut.

UFAGJ mbetet i përkushtuar për të qenë një model i qeverisjes së mirë, i bazuar në transparencë, profesionalizëm dhe integritet.

 

linku i raportit të ORCA-së: https://orca-ks.org/sq/transparenca-2025/

Article Gallery

tp-bottom