Studentë nga Shqipëria vizituan Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, përmes Parlamentit Studentor, mirëpriti sot një grup studentësh nga Universiteti i Tiranës për një vizitë zyrtare. Studentët u pritën nga Rektori i UFAGJ-së Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku si dhe Prorektorja për Mësimdhënie dhe Çështje për Studentë, Prof. Ass. Dr. Dafinë Kaçuri e Prorektori për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, Zhvillim Akademik dhe Ngritje të Cilësisë, Prof. Ass. Dr. Arben Boshnjaku. Kjo vizitë, e organizuar nga Parlamenti Studentor, kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit akademik dhe kulturor midis studentëve të dyja vendeve.
Studentët nga Shqipëria u njohën me programet studimore dhe aktivitetet e shumta studentore që zhvillohen në kuadër të fakulteteve të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë.
Rektori Bunjaku i inkurajoi studentët për formimin e një grupi punues me qëllim të organizimit të një konference të përbashkët, që do të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit akademik mes universiteteve.
Kjo vizitë është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të lidhjeve të qëndrueshme të bashkëpunimit dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta akademike dhe kulturore.