UFAGJ ndan mirënjohje për udhëheqësin e Zyrës për Sigurimin e Cilësisë, Daut Islami
Universiteti "Fehmi Agani" në Gjakovë ka ndarë mirënjohje për udhëheqësin e Zyrës për Sigurimin e Cilësisë, Daut Islami, i cili pas 10 vitesh shërbimi në universitet ka vendosur të ndryshojë punë. Gjatë një ceremonie të mbajtur në hapësirat e rektoratit të universitetit, Rektori Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku dhe Sekretarja e përgjithshme, Znj. Linda Dula Halilabazi, bashkë me bashkëpunëtorët vlerësuan angazhimin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në përmirësimin dhe rritjen e cilësisë akademike dhe administrative të universitetit.
Ndërkaq përfaqësuesi i sindikatës së UFAGJ-së Jeton Plava, përveç vlerave profesionale, çmoi lartë edhe vlerat njerëzore që ka treguar Islami gjatë tërë këtyre viteve.
Me dedikimin dhe profesionalizmin e tij, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e proceseve të sigurimit të cilësisë në universitet duke arritur rezultate të shkëlqyera. Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë shpreh mirënjohjen për punën e bërë gjatë këtyre viteve dhe i uron shumë suksese në sfidat dhe përgjegjësitë e reja që e presin.