Thirrje e hapur për të trajnuar trajnerë për punëtoritë UPSHIFT dhe PODIUM
Organizata YMCA së bashku me UNICEF dhe në partneritet me universitetin "Fehmi Agani" në Gjakovë, do të zhvillojnë një punëtori për të trajnuar trajnerë të rinjë për metodologjitë e trajnimeve UPSHIFT dhe PODIUM.
UPSHIFT ka për synim që t’i ndihmojë të rinjtë/rejat të marrin përgjegjësitë për të tashmen dhe të ardhmen e tyre si sipërmarrës, punonjës dhe qytetarë globalë. Po ashtu, synon t'i zhvillojë të gjitha aftësitë profesionale dhe të transferueshme përmes praktikave të të mësuarit me përvojë. Rritja e kapaciteteve dhe mendësisë përmes mentorimit, kontaktit dhe frymëzimit do t’ju krijojë atyre një mjedis të favorshëm për sukses në çdo aspekt të jetës.
PODIUM është një punëtori e avokimit social që mëson të rinjtë dhe adoleshentët në Kosovë se si të avokojnë për të drejtat dhe nevojat e tyre. Në punëtori, të rinjtë dhe adoleshentët trajnohen për të adresuar sfida dhe për të fituar mbështetje publike për një kauzë ose politikë të veçantë - duke i ndihmuar atyre të kuptojnë rolin e tyre në ndryshimet shoqërore dhe duke e ndërtuar besimin e tyre në avokim.
Progamet UPSHIFT dhe PODIUM, janë punëtori për Ndikim në Shoqëri dhe Avokim Social. Programet janë të dizajnuara për të rinjtë dhe të rejat nga zyra e UNICEF në Kosovë dhe zhvillohen në bashkëpunim me mentorët e trajnuar në mënyrë profesionale. Pjesëmarrësit në këtë trajnim do të aftësohen për këto metodologji të cilat mund të i përdorin për zhvillimin personal dhe profesional të tyre si dhe për të pasur mundësi për t’u bërë mentor i grupeve të të rinjve nga rajoni i Gjakovës.
Pjesëmarrësit do të trajnohen për shkruarjen e projektit, dizajnimin dhe buxhetimin e projektit në bazë të këtyre dy metodologjive. Trajnimi do të mbahet të shtunën, 7 shtator, 2024 me fillim nga ora 10:00 deri në orën 15:00 në Fakultetin e Edukimit, Salla nr. 1. Po ashtu, të drejtë pjesëmarrje në këtë trajnim kanë të gjithë studentët dhe studentet e universitetit "Fehmi Agani” në Gjakovë.
Pjesëmarrësit që marrin pjesë në këtë trajnim, do të ftohen nga organizata YMCA në mentorim profesional dhe pasi që të përfundojnë mentorimin në formatet UPSHIFT dhe PODIUM, do të certifikohen nga organizata YMCA dhe UNICEF. Certifikatë e cila është e njohur dhe e vlefshme ndërkombëtarisht.