Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës mbajti takimin e radhës

Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës mbajti takimin e radhës

Me datën 04.07.2024, rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, ka marrur pjesë në mbledhjen e radhës të Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës, e cila është mbajtur në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

Gjatë këtij takimi të rëndësishëm, rektorët e Universiteteve publike të Kosovës diskutuan për një sërë çështjesh kyçe që ndikojnë në cilësinë dhe menaxhimin e arsimit të lartë në vend.

Rektorët shqyrtuan procesin aktual të akreditimit të programeve studimore dhe të vetë institucioneve universitare. Diskutimi përfshiu edhe sfidat dhe pengesat që hasen gjatë procesit të akreditimit, si dhe mundësitë për përmirësimin e tij.

Rektori Bunjaku, informoi Konferencën e Rektorëve lidhur me sfidat që Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë është ballafaquar gjatë procesit të akreditimit institucional dhe akreditimit të programeve. Poashtu, informoi që për shkak të vonesave të AKA-së në akreditimin e programeve kemi arritur në një situatë ku në 3 programe nuk mund të pranojmë studentët për shkak që ende jemi në proces të akreditimit.

Për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe vendosjen e një standardi objektiv në Kosovë, Rektori Bunjaku propozoi që konferenca e Rektorëve të dal me një kërkesë për Agjencinë Kosovare të Akreditimit, që të publikoj listën e plotë të bartësve të të gjitha programeve të akredituara në Republikën e Kosovës, ashtu që të rrisë transparencën e AKA-së, një propozim i tillë nuk hasi në përkrahjen e plotë të gjithë Rektorëve në këtë fazë!

Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit ishte konkursi për regjistrimin e studentëve të rinj. Rektorët ndanë përvojat dhe praktikat më të mira nga universitetet e tyre, duke synuar të sigurojnë një proces të drejtë dhe transparent të pranimit të studentëve të rinj. Po ashtu, gjatë takimit të rektorëve u diskutua edhe kërkesa e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) dhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) për deklarimin e stafit akademik.

Ky takim është pjesë e një serie mbledhjesh të rregullta që synojnë përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë publik në Kosovë dhe rritjen e bashkëpunimit mes universiteteve.

Article Gallery

tp-bottom