Përmbyllet kampanja “Ditët informuese” e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë
Në kuadër të ditëve të informimit nga Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, sot studentë nga të gjitha fakultetet e UFAGj në përmbyllje të kampanjës “Ditët e informimit” kanë shpërndarë broshura informuese për të gjitha drejtimet e studimeve që ofohen nëpër njësitë akademike të UFAGj.
Për disa ditë me rradhë studentët dhe profesorët në bashkëpunim me Zyrën e Karrierës dhe Zyrën e Informimit të UFAGj, për së afërmi kanë prezantuar para nxënësve të shkollave të mesme të komunës së Gjakovës dhe më gjerë, përmbajtjen e programeve që ofron UFAGj, si dhe i kanë informuar për përparësitë dhe benefitet që ofrohen në rast se ata kanë mundësinë të përzgjedhen si studentë të këtij institucioni të arsimit të lartë.
Theksojmë që konkurset për pranim të studentëve të rinj publikohen pas shpalljes së rezultateve të testit të maturës shtetrore, ndaj Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë mirëpret të gjithë të interesuarit dhe iu uron suksese.
U.d rektori i Universitetit “Fehmi Agani” Zeqir Hashani ka përshëndetur këtë kampanjë, dhe i ka përgëzuar studentët, stafin akademik, dhe të gjithë akterët që mundësuan realizimin e saj në mënyrën më të mirë.