Shënohet 10-vjetori i themelimit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë

Shënohet 10-vjetori i themelimit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë

Me një ceremoni madhështore të organizuar nga menaxhementi, stafi akademik e administrativ, si dhe studentët e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë sot u shënua përvjetori i 10-të i këtij institucioni të Arsimit të Lartë.

Fillimisht, për nder të 10 vjetorit të themelimit të UFAGJ-së, rektori, prorektorët dhe anëtarët e këshillit drejtues, bënë homazhe tek varri i të ndjerit prof. Fehmi Agani, pastaj në mënyrë solemne dhe për nder të këtij 10 vjetori u mbollën 10 fidane në hapësirën e UFAGJ-së.

Pas kësaj, filloi edhe aktiviteti kryesor i ceremonisë festive, ku në fjalën e tij hyrëse U.D. rektori Prof. Ass. Dr. Zeqir Hashani pasi përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi për prezencën e tyre, ndër të tjera theksoi se ‘Universiteti ynë me një dekadë të jetës i takon korpusit të universiteteve të reja, universiteteve të kohës, i mbështetur në standarde dhe cilësi, që me përgjegjësi justifikon vizionin dhe orientimin akademik, i cili është i vendosur mbi një bazament që siguron realizimin e qëllimeve madhore, e që me mburrje mban emrin e atdhetarit, ideologut dhe veprimtarit të shquar politik, akademik Fehmi Agani, të cilin do ta kujtojmë me nder dhe krenari përherë.

Ndarja e çmimit ‘Doctor Honoris Causa’ ishte njëra nga pikat kryesore të këtij manifestimi, çmim i cili nda për Wesley K. Clark, ish-Komandant Suprem i NATO-s për Evropë. Në mungesë të tij, përmes një video mesazhi, Gjenerali Clark, me një fjalë rasti i përshëndeti të pranishmit dhe e falënderoi U.D. rektorin Hashani, si dhe Universitetin “Fehmi Agani” për ndarjen e çmimit dhe theksoi se ne jemi shumë krenarë për të arriturat që ka bërë Kosova për këto vite dhe natyrisht që do të jemi përkrah jush përherë.

Përderisa, biografinë për të nderuarin Clark e lexoi prorektorja Prof. Ass. Dr. Nazli Tyekçi, vendimin e senatit e lexoi zj. Linda Dula Halilabazi, njëherësh sekretare e përgjithshme në Universitetin ‘Fehmi Agani’.

Ky çmim u nda për Gjeneralin Clark për përkushtimin, kontributin dhe ndihmën e tij dhënë Kosovës në kohën e luftës në Kosovë. Ndërsa, këtë çmim e pranoi si e autorizuar zj. Lendita Dajia, të cilin ia dorëzoi U.D. rektori Hashani.

Në kuadër të kësaj ceremonie, në mungesë të Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, zj. Arbërie Nagavci, fjalë rasti pati zj. Edona Maloku Bërdyna, zëvendës ministre e arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe anëtari korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës z. Qamil Haxhibeqiri.

Me fjalë rasti këtë përvjetor e përshëndetën edhe dy ish-rektorët z. Bajram Nuraj dhe z. Shaban Buza.

Për një fjalë rasti për Universitetin “Fehmi Agani” e nderuan edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, z. Qerim Qerimi dhe rektori i Universitetit të Tetovës, z. Kushtrim Ahmeti.

Po ashtu, edhe Kryetari i komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, në fjalën e rastit përgëzoi UFAGJ-në për punën dhe angazhimin në tërë këto vite që ekziston si universitet, falënderoi rektorin Hashani për ftesën dhe të gjithë menaxhmentit, stafit akademik e në veçanti studentëve duke iu dëshiruar suksese dhe punë të mbarë në vitet në vijim.

Dekada e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë është e vulosur me vulën e suksesit. Por, cila ka qenë kjo rrugë, cilat janë sfidat e përjetimet, cilat janë ditët e shënuara që e përcollën Universitetin e Gjakovës nga themelimi e deri më sot? Për të na rikujtuar fragmente nga kjo histori 10- vjeçare ishte përgatitur një dokumentar i shkurtër, i cili dha një pasqyrim kronologjik të këtyre 10 viteve.

I gjithë manifestimi u përcoll me pika artistike dhe muzikore, nga kori i Fakultetit të Edukimit nën dirigjimin e profesoreshës Mimoza Kurshumlia, pastaj kori i shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë nën udhëheqjen e Kastriot Sadës, kurse me dy pika artistike Universitetin e nderoi sopranoja e njohur, Adelina Paloja.

Për nderim të profesor Aganit, universiteti ndau mirënjohje post-mortum me motivacionin: “Për kontributin madhor në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në edukimin e shumë brezave me vlerat dhe parimet më të larta të dijes, humanizmit dhe atdhedashurisë”.

Po ashtu, Universiteti “Fehmi Agani” në këtë përvjetor ndau mirënjohje për: ish-rektorë, ish-profesorë, ish-profesorë që kanë vdekur në detyrë, mirënjohje në administratë, por edhe për studentët e dalluar të të gjitha fakulteteve.

Menaxhmenti i UFAGJ-së në krye me U.D. rektor Hashani në fund falënderoi të gjithë të pranishmit të cilët ishin pjesë e kësaj dite të madhe për Universitetin “Fehmi Agani” Gjakovë, por edhe ata të cilët nuk ishin të pranishëm me fjalën përmbyllëse ‘Duke shpresuar që së bashku të takohemi në përvjetorë të tjerë jubilarë dhe që ky Universitet t’u mbijetojë mijëvjeçarëve’.

 

Dokumentari


Fjala e Gjeneral Wesley K. Clark

Article Gallery

tp-bottom