Universiteti “Fehmi Agani” fillon bashkëpunimin me universitetin amerikan “University of Northern IOWA”
Sot këshilltarja e lartë akademike Elisabeth Soliz dhe drejtoresha për rekrutime dhe pranime ndërkombëtare Kristi Marchesani nga Universiteti prestigjioz amerikan i Iowa-s, zhvilluan një vizitë në Universitetin tonë.
Rektori i UFAGJ-së, Prof.Asoc.Dr. Artan Nimani bashkë me menaxhmentin e universitetit pritën në takim përfaqësueset e Universitetit të Iowa nga Shtetet e Bashkuara. Në këtë takim u mirëprit bashkëpunimi që UNI Iowa i ofroi Universitetit tonë për realizimin e mobiliteteve të stafit dhe studentëve si dhe programeve të përbashkëta mes dy universiteteve. Nga përvoja që kemi, UNI Iowa gjithmonë ka jetësuar bashkëpunimet e tyre dhe presim që ato të konkretizohen në të ardhmen.
Ky takim kishte për qëllim: Shkëmbimin e studentëve; Shkëmbimin e stafit akademik, hulumtuesve dhe ekspertëve të tjerë; Hulumtimin e projekteve të përbashkëta; Konferenca dhe seminare të përbashkëta; Programe të përbashkëta kulturore dhe forma të tjera të bashkëpunimit.
Përfaqësueset e UNI ishin mjaft të interesuara për programet e studimit që ofron Universiteti “Fehmi Agani”, ku panë edhe mundësi të shumta për bashkëpunim ndërinstitucional.