Prezantim i rëndësishëm i Universitetit “Fehmi Agani” Gjakovë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë
Në Panairin mbarëkombëtar të Librit akademik dhe shkencor të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), nga data 22 deri më 24 prill 2022, mori pjesë edhe Universiteti “Fehmi Agani” Gjakovë, me prezantimin e pesëmbëdhjetë titujve universitarë dhe me promovimin e dy veprave shkencore të profesorëve të Fakultetit të Filologjisë, “Cikli perandorak në veprën e Kadaresë” të autorit Kamber Kamberi për të cilën foli prof. Mimoza Hasani Pllana dhe “Ballafaqime dhe interpretime letrare” të autorit Labinot Berisha për të cilën foli prof. Kamber Kamberi.
Me rastin e promovimit, Dekani i Fakultetit të Filologjisë, Kamber Kamberi, falënderoi organizatorët për ftesën dhe përfshirjen e Universitetit “Fehmi Agani” në këtë aktivitet të rëndësishëm mbarëkombëtar, ndërsa, Gëzim Hoxha, Kryetar i Seksionit të shkencave albanologjike, në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë shprehu kënaqësi të veçantë të pjesëmarrjes së Universitetit “Fehmi Agani” Gjakovë në këtë aktivitet të rëndësishëm. Z. Hoxha kujtoi se në territorin mbarëshqiptar Gjakova është e njohur për traditën arsimore të shkëlqyer me shkollën e lartë pedagogjike dhe tani me një status më të lartë përmes arsimit universitar.
Akademik Shaban Sinani e vlerësoi veprën “Cikli perandorak në veprën e Kadaresë” të autorit Kamber Kamberi si një nga monografitë me ide origjinale dhe më të realizuara kushtuar veprës së Kadaresë. Nga të gjitha nënstrukturat e veprës së Kadaresë, Sinani theksoi se Kamberi ka zgjedhur ciklin perandorak të cilin e ka analizuar në brenda llojeve letrare, poezisë dhe prozës.
Në fund, Hoxha dhe Sinani shprehën vullnetin e mirë për vazhdimin e bashkëpunimit me Universitetin “Fehmi Agani” Gjakavë.
Për informim më të detajuar vizitoni linkun: https://www.facebook.com/akademiaeshkencave