Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave-Tiranë
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) dhe Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave-Tiranë, do të bashkëpunojnë në fusha me interes reciprok. Për këtë qëllim, të enjten, rektori i UFAGJ-së, prof. ass. dr. Artan Nimani, i shoqëruar nga prorektori, prof. ass. dr. Sazan Kryeziu, nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me presidentin e AShASh-së, prof. dr. Ksenofon Krisafi, i shoqëruar nga profesori i arkeologjisë, prof. dr. Gëzim Hoxha.
Rektori Nimani, e falënderoi presidentin e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave-Tiranë, prof. dr. Ksenofon Krisafi, për vizitën dhe për gatishmërinë për të bashkëpunuar. Përgjatë takimit i informoi për zhvillimet dhe të arriturat e Universitetit. Sipas tij, bashkëpunimi do të shtrihet në veprimtari të përbashkëta shkencore, promovime librash, pjesëmarrje në forume, tribuna, tryeza, simpoziume, sesione shkencore për çështje të ndryshme të kulturës, artit, shkencës etj..
Presidenti Krisafi, u shpreh i kënaqur për mundësinë e bashkëpunimit me Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe i përgëzoi për të arriturat e zhvillimit të institucionit. “Presim rezultate konkrete nga bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona, kapacitetet e të cilave do të jenë në shërbim të të dyja palëve”, u shpreh ai.
Në marrëveshje parashihet që bashkëpunimi të përfshijë botimin e shkrimeve shkencore në revistën shkencore të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave “Academe” kurse Universiteti “Fehmi Agani” do të krijojë hapësirë që anëtarët e AShASh-së të botojnë shkrime shkencore në revistën e botimeve shkencore të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë “JSEIS”, si dhe realizimin e projekteve të ndryshme në fushat e kulturës, shkencës, si dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.