Urimi i rektorit Nimani për fillimin e vitit të ri akademik 2021/2022

Urimi i rektorit Nimani për fillimin e vitit të ri akademik 2021/2022

Nga nesër fillon viti akademik 2021/2022 për studentët e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë. Rektori, prof. ass. dr. Artan Nimani uron për një fillim të mbarë të procesit mësimor:

Studentë të nderuar,

Në momentin kur keni vendosur të studioni në UFAGj, duhet të jeni të bindur se keni bërë zgjedhjen e duhur. Ju do të keni një vit interesant me ngjarje të ndryshme shkencore, krijuese dhe sportive, pjesëmarrje në konferenca, lëvizje akademike, aktivitete vullnetare etj.. Me sukseset që do të arrini gjatë studimeve, do të përgatiteni profesionalisht që të jeni të aftë t’i përballoni të gjitha sfidat e jetës në të ardhmen.

I nderuar stafi akademik,

Ju uroj fillim të mbarë të gjithë stafit akademik të  UFAGj-së! Puna juaj e përditshme dhe profesionalizmi i lartë janë çelësi i suksesit dhe cilësisë në UFAGj. Ju uroj suksese në mësimdhënie dhe kërkime, në përmirësimin e aftësive tuaja profesionale, ide të reja krijuese dhe zbatimin e tyre të vazhdueshëm!

I nderuar stafi administrativ,

Mbështetja juaj  konsiderohet  e një rëndësie të madhe për suksesin e UFAGj-së. Angazhimi dhe përgjegjësia  juaj në mbështetjen e  realizimit të proceseve akademike, bën të mundur që universiteti ynë të ecë sigurt në rrugën e sukseseve.

Si pasojë e pandemisë COVID-19, ju bëj lutje të gjithëve që me përkushtim të plotë të zhvilloni procesin mësimor, duke i respektuar vendimet e MAShTI-it dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore – IKShPK-së. Me angazhimin e të gjithëve do të kontribuojmë në ruajtjen e shëndetit për njëri-tjetrin dhe duke besuar në përkushtimin dhe suksesin e juaj.

Ju uroj shëndet dhe shumë suksese në këtë vit të ri akademik!

Prof. ass. dr. Artan Nimani,

Rektor i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë

tp-bottom