Konstituohet Parlamenti Studentor dhe Këshillet e Studentëve në fakultetet e Universitetit “Fehmi Agani”

Konstituohet Parlamenti Studentor dhe Këshillet e Studentëve në fakultetet e Universitetit “Fehmi Agani”

Në mbledhjen e mbajtur me përfaqësuesit studentorë të organizatave studentore fituese të dala nga zgjedhjet e 24 majit, Komisioni Qendror Zgjedhor konstituoi Parlamentin Studentor dhe Këshillet e Studentëve në fakultetet e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë.

Kryetar i ri i Parlamentit Studentor është zgjedhur Endrit Zeneli, ndërsa, Florentina Berisha - kryetare e Këshillit Studentor në Fakultetin e Mjekësisë, Erza Isufi - kryetare e Këshillit Studentor në Fakultetin e Filologjisë dhe Luiza Koshi - kryetare e Këshillit Studentor në Fakultetin e Edukimit, si dhe Sekretar i Parlamentit Studentor është zgjedhur Endrit Mustafaj, të votuar me shumicë votash nga anëtarët. Po ashtu, u zgjodhën edhe sekretarët në Këshillet e Studentëve të fakulteteve, në KSFE – Ajshe Aga, në KSFF – Emanuela Manrecaj dhe në KSFM – Agnesa Kadrijaj.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, znj. Linda Dula Halilabazi tha se procesi i konstituimit të Parlamentit Studentor dhe Këshillet e Studentëve në fakultete ka shkuar shumë mirë, në zbatim të plotë të planit dinamik të zgjedhjeve, njëherit i uroi të zgjedhurit në këto organe. Znj. Halilabazi, shtoi se organizatat studentore të përfshirë në këtë proces kanë treguar maturi dhe shembull të mirëorganizimit.

Pas konstituimit, rektori i Universitetit “Fehmi Agani” i uroi përfaqësuesit e studentëve të zgjedhur në Parlamentin Studentor dhe në Këshillet e Studentëve të fakulteteve, si dhe i përgëzoi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Ai u shpreh i gatshëm të bashkëpunoi me strukturat e reja, kërkoi të jenë aktiv dhe të vazhdohet bashkëpunimi mes përfaqësuesve studentorë. Po ashtu, premtoi që do të jetë në dispozicion dhe në shërbim të tyre për t’i shtyer përpara idetë dhe projektet që i kanë për synim.

Vlen të theksohet se mandati dy (2) vjeçar i Parlamentit Studentor dhe Këshillet e Studentëve në fakultete fillon nga data 1 tetor 2021.

Article Gallery

tp-bottom