Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Ramë Likaj vizitoi Universitetin e Gjakovës
Rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Prof. Ass. Dr. Artan Nimani me bashkëpunëtorë pritën në takim Ministrin e Arsimit dhe Shkencës (MASh) z. Ramë Likaj.
Gjatë takimit u diskutuan nevojat që ka Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet UGJFA-ja. Ndërsa fokusi i temës së takimit ishte ndërtimi i kampusit universitar i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”. Po ashtu, rektori Nimani ka ngritur shqetësimet rreth vonesës në procesin e akreditimit të programeve të reja studimore.
Ministri Likaj tha se po i bëjnë përgatitjet për nisjen e kampusit universitar të UGJFA-së dhe për këtë e kanë ndarë një vijë buxhetore, ndërsa për procedura do të përkujdeset MASh-i dhe sipas tij pritet që këtë vit të fillojnë punimet. Ndërkaq, ka theksuar gatishmërinë e tij që të punojë ngushtë me rektorin Nimani, në mënyrë që të përshpejtohen proceset zhvillimore të UGJFA-së, që studentëve t’iu ofrohet arsimim sa më cilësor.
Në takim bashkë me Ministrin Lika ishte e pranishme edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës znj. Teuta Haxhiu, njëherit është anëtare në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, e cila dëgjoi me vëmendje prioritetet që ka nevojë UGJFA-ja dhe premtoi që do t’i drejtojë ato para këtij Komisioni.
Rektori Nimani e falënderoi Ministrin Likaj dhe deputeten Haxhiu për vizitën në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” dhe u kërkoi të merret në konsideratë çdo çështje e diskutuar në takim.