Universiteti i Gjakovës pranon donacion të dorëzave dhe maskave mbrojtëse nga Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti”
Rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Prof. Ass. Dr. Artan Nimani, priti në takim Koordinatorin e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti” – dega në Gjakovë, z. Abdurrahman Bejtullahu dhe përfaqësuesit e studentëve nga Parlamenti Studentor.
Me kërkesën e Parlamentit Studentor për pajisje me dorëza dhe maska, që iu dërgua Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, sot u bë dhurimi i donacionit të 2000 palë dorëzave dhe 1000 copë maskave mbrojtëse për studentët e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”. Donacioni kap vlerën prej 670 euro.
Rektori, Prof. Ass. Dr. Artan Nimani e falënderoj z. Bejtullahu për kontributin e tij në veprimtarinë bamirëse për studentët, që ata të pajisen me dorëza dhe maska mbrojtëse në kohën e provimeve në afatin e qershorit. Me këtë rast, Rektori Nimani i ndau mirënjohje kësaj shoqate.
Koordinatori i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, z. Abdurrahman Bejtullahu e mirëpriti kërkesën e studentëve dhe u nda i kënaqur me pritjen në Universitet, duke i uruar studentët për suksese në provimet e afatit të qershorit dhe punë të mbarë për UGJFA-në.
Këtë mbështetje e kanë vlerësuar tejet të rëndësishme përfaqësuesit e studentëve nga Parlamenti Studentor, që u shprehën mirënjohës dhe falënderues për donacionin.
Tashmë të gjithë studentët që nuk kanë mundësi për këto pajisje, mund t’i marrin në hyrje të fakulteteve të tyre.