Sot bëhen 7 vjet nga themelimi i Universiteti të Gjakovës “Fehmi Agani”

Sot bëhen 7 vjet nga themelimi i Universiteti të Gjakovës “Fehmi Agani”

Sot bëhen 7 vjet që Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” është themeluar. Universiteti i Gjakovës u themelua në bazë të Vendimit të Qeverisë më 6 mars 2013.

Rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Prof. Ass. Dr. Artan Nimani uron ditën e themelimit dhe thekson se këto 7 vite të Universitetit, janë arritur me shumë mund e përkushtim, andaj këtë ritëm duhet ta vazhdojmë edhe më tutje dhe se Universiteti i Gjakovës po zhvillohet edhe më tutje në përputhje me kërkesat e tregut të punës.

Universiteti i Gjakovës ka filluar aktivitetin në vitin e parë akademik 2013/2014 me tri fakultete respektivisht: Fakultetin e Edukimit, Fakultetin e Filologjisë dhe Fakultetin e Mjekësisë. UGJFA-ja vazhdon të rritet, duke  themeluar fakultete të reja si: Fakultetin e Shkencave Sociale dhe Fakultetin e Shkencave Aplikative, që janë në proces të akreditimit dhe në kuadër të këtyre fakulteteve ka pritshmëri të hapjes së programeve të reja studimore të nivelit baçelor dhe master.

Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” gjatë punës së vet disavjeçare, që nga themelimi, krijoi një traditë dhe përvojë në organizimin e procesit mësimor-shkencor, si dhe shërbimet e tjera të nevojshme për funksionimin normal të tij. Brenda disa viteve, Universiteti i Gjakovës, siguroi të gjitha nevojat si: financimin, objektet, pajisjen me mjete të nevojshme për procesin mësimor për punë teorike dhe praktike, laboratorë, kabinete të ndryshme, salla mësimore, si dhe kuadër të rangut universitar dhe literaturë profesionale shkencore. Po ashtu ka shënuar arritje të mëdha në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar të marrëveshjeve dhe është renditur për 3446 vende më lartë në listën botërore.

Në emër të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Rektori Prof. Ass. Dr. Artan Nimani i uron dhe falënderon stafin akademik, stafin administrativ, studentët, partnerët e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare dhe të gjithë ata që kontribuan për zhvillimin dhe avancimin e këtij tempulli të dijes!

7 vjetori i themelimit të Universitetit të Gjakovës korrespondon me ditën e lavdishme të Epopesë së UÇK-së. Rektori Nimani, Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e vlerëson si njërën ndër betejat më të rëndësishme të UÇK-së kundër agresionit ushtarak të ish-Jugosllavisë, përshkrim i sakrificës dhe veprës sublime për atdhedashuri. Sakrifica e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, në Kosovë vlerësohet si kthesë e madhe qe i dha zgjidhje çështjes së Kosovës.

Lavdi veprës heroike të familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të rënë në luftën e UÇK-së!

tp-bottom