Në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” mbahet konferenca me titull “Plakja Aktive në një shoqëri në zhvillim: akterët, përgjegjësitë dhe sfidat”
Të premten më datë 13.09.2019 në lokalet e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” u mbajt Konferenca Ndërkombëtare me titull “Plakja Aktive në një shoqëri në zhvillim: akterët, përgjegjësitë dhe sfidat”, si projekt i fituar nga asistenti MSc. Arben Boshnjaku i financuar nga HERAS (Higher Education Research and Applied Sciences).
Qëllimi kryesor i kësaj konference ishte promovimi i fenomenit të plakjes së shëndetshme, duke theksuar dhe fuqizuar rolet e akterëve të ndryshëm në procesin e ballafaqimit me të moshuarit në një vend në zhvillim sikurse Kosova.
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të universiteteve të ndryshme evropiane që merren me studimin e fushës së plakjes, sikurse Universiteti i Vjenës në Austri, Universiteti i Shkencave të Aplikuara Hanze nga Groningeni i Holandës, Shkolla e Shkencave Mjekësore të Alcoitão-s në Lisbonë të Portugalisë, Universiteti “Nënë Tereza” i Shkupit”, Maqedoni, Universiteti i Shkencave të Aplikuara Artevelde nga Genti i Belgjikës etj. Po ashtu, konferencës iu bashkuan edhe përfaqësuesit e institucioneve shtetërore sikurse ajo nga Ministria e Shëndetësisë, përfaqësuesja nga Instituti Kombëtar I Shëndetit Publik të Kosovës, Drejtori i Institutit të Mjekësisë së Punës, etj.
Gjetjet e konferencës do të përmblidhen në një dokument të veçantë dhe do të publikohen nga Këshilli Organizativ i Konferencës.