Studentët e UFAGJ-së trajnohen për përdorimin etik të GenAI dhe Inteligjencës Artificiale në universitet
Gjakovë, 25.05.2026
Në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë u mbajt punëtoria me temë “Inteligjenca Artificiale dhe përdorimi etik në universitet”, dedikuar studentëve të UFAGJ-së, me fokus në njohjen dhe përdorimin praktik të teknologjive bashkëkohore të Inteligjencës Artificiale.
Punëtoria u organizua nga UFAGJ, respekivisht Qendra Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie, në bashkëpunim me Shoqatën e Intelektualëve “Jakova”, ndërsa u mbajt nga eksperti i zhvillimit të teknologjisë, z. Yll Ferizi.
Gjatë punëtorisë, studentët patën mundësinë të njihen më nga afër me zhvillimet më të reja në fushën e Inteligjencës Artificiale, përfshirë ChatGPT-në, gjenerimin e imazheve, krijimin e videove me AI, si dhe ndikimin e këtyre teknologjive në arsimin e lartë dhe në tregun e punës.
Në kuadër të aktivitetit u trajtuan disa tema kyçe, si:
- Bazat e AI, GenAI dhe Agentic AI;
- Të mësuarit me ndihmën e Inteligjencës Artificiale;
- Etika dhe privatësia në përdorimin e AI;
- Prompt Engineering – formulimi efektiv i udhëzimeve;
- Veglat AI si ChatGPT, Gemini, NotebookLM, Perplexity dhe platforma të tjera;
- Krijimi i tekstit, imazheve, zërit dhe videove përmes AI.
Studentët shfaqën interesim të lartë për temat e trajtuara dhe u përfshinë aktivisht në bashkëbisedim, duke diskutuar mbi mënyrat se si këto vegla mund të përdoren në mënyrë të përgjegjshme, kreative dhe efektive në procesin e të mësuarit, kërkimit dhe zhvillimit profesional.
Ky aktivitet dëshmon përkushtimin e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë për të nxitur kulturën e inovacionit, zhvillimin e kompetencave digjitale dhe përdorimin etik të teknologjive të reja në mjedisin universitar.
Përmes aktiviteteve të tilla, UFAGJ synon të përgatisë studentët për sfidat dhe mundësitë e së ardhmes, duke i afruar ata me trendet më të fundit të teknologjisë dhe me praktikat bashkëkohore të arsimit dhe punës.