
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë shpall Punonjësin/Punonjësen e Vitit 2024 në Administratë
Më datë 09 qershor 2025, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë ka shpallur znj. Mirlinda Gjocaj Kadrija, zyrtare për arkiv, si Punonjësen e Vitit 2024 nga radhët e stafit administrativ.
Ky vlerësim është bërë në bazë të angazhimit të saj profesional, përkushtimit të vazhdueshëm në detyrë, performancës së lartë dhe përmbushjes me sukses, përtej pritshmërive, të detyrave gjatë vitit kalendarik 2024.
Vendimi për shpalljen e Punonjësit/Punonjëses së Vitit është marrë në përputhje me dispozitat e Statutit të Universitetit dhe në bazë të Vendimit të Këshillit Drejtues nr. 05/1923, nga ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm- Nita Sina Pruthi.
Përveç vlerësimit moral dhe institucional, znj. Gjocaj Kadrija është stimuluar edhe në mënyrë simbolike si shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj të çmuar në funksionimin e rregullt dhe efikas të shërbimeve administrative, me theks të veçantë në digjitalizimin e vazhdueshëm të arkivës së universitetit.
Ky vlerësim është pjesë e praktikave të mira institucionale të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, të cilat synojnë të motivojnë dhe inkurajojnë stafin administrativ, si dhe të promovojnë një kulturë pune të bazuar në përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim.
Universiteti i shpreh mirënjohje znj. Mirlinda Gjocaj Kadrija për kontributin e saj të palodhshëm dhe i uron suksese të mëtejme në angazhimin e saj profesional.