Mbahet provimi pranues në Universitetin “Fehmi Agani”, Rektori Drilon Bunjaku me bashkëpunëtorë vizituan Fakultetet
Sot, me fillim nga ora 10:00, është mbajtur provimi pranues i afatit të parë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë. Për të monitoruar mbarëvajtjen e provimit dhe për t’u uruar suksese studentëve të rinj potencialë të Universitetit, Rektori Drilon Bunjaku, së bashku me Prorektoren për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Ass. Dr. Nazli Tyfekçi, dhe Prorektorin për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, Zhvillim Akademik dhe Ngritje të Cilësisë, Prof. Ass. Dr. Arben Boshnjaku, qëndruan fillimisht në objektin e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, ku u pritën nga Prof. Dr. Sindorela Doli Kryeziu, U.D. Dekane e Fakultetit të Filologjisë. Rektori Bunjaku shprehu urimet e tij më të mira për studentët që kanë zgjedhur Universitetin “Fehmi Agani” për studiuar programet e tyre të preferuara. Rektori potencoi se menaxhmenti i Universitetit dhe njësive akademike garantojnë proces të drejt, transparent dhe të bazuar në meritokraci. Ai vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e kandidatëve dhe shprehu bindjen se me vullnet dhe përkushtim do të arrijnë rezultate të shkëlqyera .
Gjatë vizitës së tyre, Rektori dhe bashkëpunëtorët e tij qëndruan gjithashtu në objektin e Fakultetit të Mjekësisë, ku u pritën nga Dekani, Prof. Dr. Haxhi Kamberi. Gjatë këtij takimi, ata shprehën kënaqësinë për interesimin e treguar nga studentët dhe pritshmëritë për rezultate pozitive nga ky provim.
Rektori Bunjaku theksoi se organizimi i procesit të provimit pranues për afatin e parë të regjistrimit në Universitetin “Fehmi Agani” ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai vlerësoi punën e palodhshme të stafit akademik dhe administrativ, që kanë siguruar një proces të drejtë, transparent dhe të suksesshëm.
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë vazhdon të jetë një institucion arsimor i përkushtuar ndaj zhvillimit të studentëve të tij, duke ofruar një mjedis mbështetës dhe frymëzues për arritjen e objektivave të tyre arsimore dhe profesionale.