Rektori Bunjaku pjesë e Forumit Akademik ‘Prof. Fehmi Agani – Martir i Kombit dhe i Shkencës'

Rektori Bunjaku pjesë e Forumit Akademik ‘Prof. Fehmi Agani – Martir i Kombit dhe i Shkencës'

Në kuadër të Forumit Akademik kushtuar ‘Prof. Fehmi Aganit – Martir i Kombit dhe i Shkencës – Viti i Prof. Fehmi Aganit’ në 25 vjetorin e rënies: 1999-2024, ka marr pjesë Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” të Gjakovës prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku së bashku me dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi. Në këtë forum për veprën e Prof. Aganit folën edhe Rektorja e Universitetit të Shkodrës, “Luigj Gurakuqi” – Prof. Dr. Rajmonda KËÇIRA, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri – Shkëlqesia e tij z. Durmishi, Akademik, Prof. Dr. Kosta BARJABA, Prof. Dr. Lekë Sokoli nga Instituti Shqiptar i Sociologjisë, si dhe personalitete tjera akademike.

Në fjalën e tij, Rektori Bunjaku theksoi se “...Shqiptarët kanë humbur shumë nga vrasja e prof. Akademik Fehmi Agani, ai është vrarë fizikisht, por jo edhe shpirtërisht, sepse djem e vajza kanë vazhduar rrugën e tij, idealet dhe vizionin e tij, janë ndërtuar institucione dhe universitete të cilat sot me krenari e mbajnë emrin e tij. Është kënaqësi edhe për ne, që Universiteti i Gjakovës mban emrin e të ndjerit, profesorit dhe njeriut që dha jetën për idealet e kombit dhe të vendit, për dijen dhe shkencën, pra profesorit Agani, të cilit i përkulemi për kontributin dhe meritat e tij, dhe të cilit përherë do i jemi mirënjohës. Edhe pse fizikisht prof. Agani ka braktis këtë botë qysh para 25 viteve, ai do të mbetet një kolos dhe ikonë e madhe në galerinë e kombit shqiptar, pjesë e historisë së shtetit të Kosovës, martir për paqe, liri dhe demokraci. Figura të mëdha si ajo e Prof. Aganit mbase ikin shpejt, por ata gjithnjë lënë pas vetes vepra të mëdha, vepra të cilat janë një trashëgimi dhe udhërrëfim për gjeneratat e ardhshme që do të vijnë pas…”.

Ky vit do të jetë i Prof. Fehmi Aganit me rastin e 25 vjetorit të vrasjes së tij nga forcat serbe, në të cilin do të shënohen aktivitete hulumtuese, shkencore, akademike në Universitete dhe institucione të ndryshme, me qëllim të përkujtimit të veprës dhe trashëgimisë së Prof. Aganit.

Forumi u organizua nga Instituti Shqiptar i Sociologjisë - Shoqata Sociologjike Shqiptare në bashkëpunim me Universitetin e Shkodrës, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shqipëri, Universitetin “Fehmi Agani” të Gjakovës, si dhe Universitetin e Tiranës. Në këtë forum akademik, Universitetit të Shkodrës iu akordua “Çmimi i Ekselencës Fehmi AGANI”, i cili iu dorëzua rektores, Prof. Dr. Rajmonda Këçira.

 

Fotot e lajmit

tp-bottom