Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë vazhdon takimet me studentët e Alumni-t për plotësimin e pyetësorëve
Pas marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërmjet U.D. Prorektores për Zhvillim Akademik dhe Ngritje të Cilësisë, Prof. Ass. Dr. Gentiana Muhaxhiri dhe Zyrës për Sigurimin e Cilësisë të përfaqësuar nga zyrtari Daut Islami me drejtorët komunalë të Arsimit dhe Shëndetësisë në komunat kryesore prej nga vijnë studentët e UFAGj-së, është vazhduar puna me realizimin e pyetësorëve me studentët e Alumni-t, të cilët kanë qenë studentë në UFAGj dhe tashmë punojnë nëpër institucione të ndryshme në Kosovë, si dhe me punëdhënësit e tyre.
Gjatë ditës së sotme, zyrtari i UFAGj-së, z. Arjan Dobraj ka vizituar disa institucione shkollore në qytetin e Gjakovës ku është mirëpritur nga drejtorët përkatës, të cilët janë shprehur falënderues për vizitën, duke theksuar njëkohësisht se janë shumë të kënaqur me përgatitjen profesionale që shfaqin mësimdhënësit që kanë përfunduar studimet në UFAGJ.
Institucionet të cilat janë vizituar sot në Gjakovë janë: SHMM “Hysni Zajmi”, SHME “Kadri Kusari”, SHFMU “Fehmi Agani”, SHF “Kelmend Rizvanolli”, SHMU “Mazllum Këpuska”.
Studentët Alumni të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë e kanë mirëpritur plotësimin e këtyre pyetësorëve dhe kanë falënderuar institucionin për kujdesin dhe rëndësinë që iu kushton edhe pas diplomimit.
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë që nga themelimi ka ofruar degë studimi që përkojnë me kërkueshmërinë e tregut të punës në Republikën e Kosovës, por edhe në vendet jashtë saj, pasi studentët që kanë studiuar në UFAGJ tashmë punojnë edhe në institucione nëpër shtete të ndryshme në Evropë dhe botë.
UFAGJ do të vazhdojë me realizimin e pyetësorëve edhe në ditët në vazhdim me vizita të tjera nëpër institucione.