
Prorektorja Prof. Ass. Dr. Kaltrina Kusari përfundon me sukses Postdoktoraturën në Kanada.
Gjatë muajit qershor 2025, Dr. Kaltrina Kusari, Profesor Asistente në Fakultetin e Shkencave Sociale në UFAGJ, përfundoi me sukses postdoktoraturën e saj në Universitetin e Calgary-t, Kanada.
Gjatë kësaj periudhe, Prof. Kusari iu bashkua partneritetit kërkimor Aging in the Right Place (AIRP), një projekt shumëqytetësh që fokusohet në përvojat e të moshuarve që përballen me pasiguri banimi dhe situata të pastrehësisë në Kanada. Kontributi i saj u përqendrua në analizimin e të dhënave që lidhen me migrantët e moshuar, duke ofruar njohuri të rëndësishme mbi mënyrën se si statusi i migrimit ndikon në procesin e plakjes dhe pasigurinë në strehim.
Në fazën përmbyllëse të postdoktoraturës, Prof. Kusari pati mundësinë të prezantojë gjetjet kryesore të këtij studimi në Konferencën Our Future is Aging, e mbajtur në Halifax, Nova Scotia. Prezantimi i saj ngjalli diskutime të rëndësishme mbi qasjet gjithëpërfshirëse ndaj politikave të strehimit dhe plakjes në Kanada.
Përfshirja e Prof. Kusarit në këtë projekt të rëndësishëm do të pasurojë më tej kontributin e saj në Fakultetin e Shkencave Sociale në UFAGJ, veçanërisht në fushat e plakjes, migrimit dhe drejtësisë sociale.