Fakulteti i Mjekësisë filloi punimet e Konferencës Ndërkombëtare “Diabeti mellit, shputa diabetike dhe komplikimet tjera”

Fakulteti i Mjekësisë filloi punimet e Konferencës Ndërkombëtare “Diabeti mellit, shputa diabetike dhe komplikimet tjera”

Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë ka filluar punimet e Konferencës Ndërkombëtare “Diabeti mellit, shputa diabetike dhe komplikimet tjera”, ku po marrin pjesë mbi 600 pjesëmarrës aktiv dhe pasiv në mënyrë hibride, nga Kosova, Shqipëria, Turqia dhe vende tjera të botës.

Hapjen e kësaj konference e bëri rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, prof. ass. dr. Artan Nimani, i cili përshëndeti përzemërsisht punimet e konferencës dhe tha se “kjo konferencë ka për qëllim të bëjë bashkë të gjithë hulumtuesit e shkencave mjekësore dhe do të shërbejë si urë lidhje për projektet e ardhshme të Fakultetit të Mjekësisë në UFAGJ, si dhe ngritjes së cilësisë së arsimit dhe punës kërkimore shkencore. Sa më shumë konferenca ndërkombëtare që organizojmë e afirmojmë kapacitetin tonë për t’u kyç në rrjedhat e punës dhe kërkimit shkencor. Jam jashtëzakonisht i lumtur si rektor që keni përzgjedhur këtë temë shumë të rëndësishme të kësaj konference”.

Më pas, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, prof. dr. Aziz Pollozhani, në fjalën hyrëse tha se “kjo konferencë që po organizon Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, është një ngjarje e rëndësishme, e cila i kontribuon jashtëzakonisht shumë zhvillimit të shkencës dhe hulumtimit në Kosovë”.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Mjekësisë në UFAGJ, prof. asoc. dr. Idriz Berisha, shprehu falënderim dhe i përshëndeti punimet e konferencës, tha se për të është nder i veçantë që kanë bashkuar një komunitet shkencor nga të vende të ndryshme të botës.

Kryetari i Këshillit Organizativ të Konferencës, prof. ass. dr. Faton Hoxha, tha se në kuadër të kësaj konference një ditore do të prezantohen nga rreth 60 hulumtues me 31 punime shkencore, pjesëmarrës nga universitetet publike, kolegjet private, si dhe nga institucione shëndetësore nga vende të ndryshme, si: Kroacia, Shqipëria, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Turqia.

Konferenca organizohet nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe është akredituar me 13 pikë për pjesëmarrësit aktiv dhe 10 pikë për pjesëmarrësit pasiv nga  Oda e Mjekëve të Kosovës, Oda e Infermierëve të Kosovës dhe Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës.

 

 

Article Gallery

tp-bottom