Ngritja e Kapaciteteve në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkrimi i Projekteve
Ngritja e Kapaciteteve në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkrimi i Projekteve është lloj i partneritetit programor të projekteve, me kohëzgjatje 18 mujore duke filluar nga janari 2018. Qëllimi i këtij projekti është ndërkombëtarizimi i institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe ngritja e kapaciteteve për nevojat e fakulteteve dhe krijimi i bashkëpunimit ndërkombëtar për të avancuar sistemin e arsimit të lartë në Kosovë duke bashkëpunuar në programe të ndryshme të përbashkëta dhe studime kërkimore me universitete tjera.
-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Takimi iniciues i projektit "Ndërtimi i kapaciteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe shkrimi i projekteve"
Më 27 mars 2018, u mbajt takimi iniciues i projektit të Partneritetit Programor të HERAS i quajtuar "Ndërtimi i kapaciteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe shkrimi i projekteve", i cili do të zbatohet përmes partneritetit austriak dhe kosovar. Partneriteti është në mes të Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Salzburgut (SUAS) nga pala austriake, kurse nga pala kosovare:
- Universiteti i Gjilanit "Kadri Zeka" si koordinator i projektit;
- Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj;
- Universiteti i Prizrenit "Ukshin Hoti";
- Universiteti i Gjakovës "Fehmi Agani”;
- Universiteti i Pejës "Haxhi Zeka” dhe
- Universiteti i Mitrovicës "Isa Boletini".
Hapja zyrtare e projektit u zhvillua në Universitetin e Gjilanit, ku ishin të pranishëm të gjithë rektorët e universiteteve publike të përmendura dhe paraqitën zhvillimet kryesore në Universitetet e tyre dhe nevojat prioritare në zhvillimin e internacionalizimit, mobiliteteve dhe projekteve. Ditën e dytë të fillimit zyrtar, më 28 mars, universitetet partnere morën pjesë në punëtorinë e organizuar në mjediset e Universitetit të Prizrenit, me fokus kryesor, ndarjen e praktikave të mira nga Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Salzburgut (SUAS) në fushën e ndërtimit të kapaciteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe shkrimin e projekteve.
Ky projekt i partneritetit programatik do të zbatohet gjatë 18 muajve, duke siguruar mobilitete, shkëmbimin e njohurive dhe vizitat studimore midis partnerëve austriakë dhe kosovarë.
-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Takim punues në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Salzburg, Austri në kuadër të projektit HERAS
Në kuadër të projektit me titull “Capacity building in international relations and project writing” (Ngritja e kapaciteteve për bashkëpunim ndërkombëtar dhe përpilim të projekteve), me 19-22 qershor në Salzburg të Austrisë u mbajt takimi punues, ku morën pjesë përfaqësuesit e të gjitha institucioneve pjesëmarrëse. Nga Universiteti i Gjakovës morën pjesë Prof. Ass. Dr. Mimoza Dushi, prorektorë për çështje akademike dhe z. Denis Spahija, zyrtar për bashkëpunim ndërkombëtar.
Qëllimi i punëtorisë ishte marrja e përvojave rreth çështjeve të bashkëpunimit ndërkombëtar, përfshirë strategjinë për ndërkombëtarizim, struktura dhe organizimi i zyrës për bashkëpunim, zhvillimin e projekt propozimeve, mobilitetit të stafit akademik dhe studentëve, mundësitë e aplikimit në programet e ndryshme për financim të projekteve dhe mobiliteteve.
-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Trajnime në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe shkrimi i projekteve”
Në vazhdim të projektit “Ngritja e kapaciteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe shkrimi i projekteve” u mbajtën edhe dy trajnime dyditore më 28/02/2019 - 01/03/2019 si dhe 28/03/2019 - 29/03/2019 ku përfaqësues të UGJFA-së ishin Prof. Laura Naka dhe Denis Spahija. Aty u trajtuan shumë tema me interes si: Ndërkombëtarizimi i Universiteteve prej Konceptit në implikimet praktike, Pozicionimi ndërkombëtar, Çka e karakterizon një Universitet të Klasit Botërorë, Si të ndërkombëtarizohet një program mësimor, Modeli për Ndërkombëtarizim Gjithëpërfshirës etj. Pjesëmarrësit e kësaj punëtorie do organizojnë një punëtori me tema të ngjashme në institucionet e tyre. Po ashtu aty u diskutua dhe u punua në draft rregulloren për ndërkombëtarizim të universiteteve pjesëmarrëse të projektit.