UFAGJ dhe KRM “ÇABRATI” nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për ofrimin e zgjidhjeve të teknologjisë informative në procesin e menaxhimit të mbeturinave
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Kompaninë Regjionale të Mbeturinave Çabrati (KRM Çabrati), duke hapur kështu rrugën për projekte të përbashkëta. Marrëveshja ka për qëllim t’u ofrojë studentëve të UFAGJ-së me theks të vecantë atyre të programit më të ri të Informatikës Inxhinierike, mundësinë për ofrimin e zgjidhjeve të teknologjisë informative në procesin e menaxhimit të mbeturinave.
Rektori i UFAGJ-së, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku u shpreh i lumtur me këtë bashkëpunim që sipas tij u ofron studentëve mundësi që të kontribuojnë në menaxhimin e mbeturinave përmes inovacionit e teknologjisë.
Në anën tjetër, Drejtori i KRM Çabrati, z. Behar Ferizi, shprehu mbështetje të plotë për këtë program, duke vënë në pah punën e shkëlqyer të bërë deri më tani dhe duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të zhvillimit të specialistëve të kualifikuar në këtë fushë për të siguruar një ambient të pastër.
Të dyja palët u dakorduan se bashkëpunime të tilla janë esenciale për të lidhur arsimin me nevojat praktike të sektorit të menaxhimit të mbeturinave, duke kontribuar në krijimin e zgjidhjeve sa më miqësore me mjedisin.