U mbajt takimi i 4-të vjetor i  Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit (BUA), ku UGJFA është anëtare

U mbajt takimi i 4-të vjetor i Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit (BUA), ku UGJFA është anëtare


Me datë 30 dhe 31 mars u mbajt takimi i rregullt vjetor i Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit (BUA). Ky takim, i katërti me radhë është mbajtur në Universitetin Shtetëror të Tetovës, si udhëheqës i Presidencës së këtij asociacioni për vitin akademik 2017/18. 

Universiteti i Gjakovës është anëtar i rregull i këtij asociacioni që prej themelimit dhe këtë vit është përfaqësuar nga Rektori Prof. Dr. Shaban Buza, dhe prorektorët Prof. Dr. Januz Bunjaku dhe Prof. Ass. Dr. Mimoza Dushi. 

Në ditën e parë është mbajtur konferenca me titull “Bashkëpunimi midis universiteteve dhe bashkëjetesa kulturore – një premisë për një platformë të qëndrueshme në të gjithë Ballkanin”, ku studiuesit shkencorë para komunitetit akademik kanë prezantuar qëndrimet e tyre dhe debatuar mbi problematikën e bashkëjetesës kulturore në këto hapësira. 

Më pas, në ditën e dytë, në takimin në mes 40 rektorëve të Universiteteve të Ballkanit  është diskutuar edhe për kualitetin e procesit të akreditimit, bashkëpunimit ndëruniversitar dhe është shqyrtuar e miratuar draft-Statuti i Asociacionit të Universiteteve Ballkanike. Po ashtu, janë shqyrtuar aplikacionet dhe miratuar anëtarësimet e universiteteve të reja, që kanë shprehur interesim për t’u anëtarësuar në këtë asociacion. Në takim, me shumicë votash u miratuan kërkesat e këtyre institucioneve të arsimit të lartë, si: Universitetit të Tiranës, Universitetit të Korçës, Universitetit “Haxhi Zeka”- Pejë, Universitetit të Shkencave Shëndetësore – Stamboll, Universitetit të Bihaçit, Universitetit të Shkodrës dhe Universitetit të Novi Sadit. 

Në fund të këtij takimi u realizua edhe pranim-dorëzimi i Presidencës së Asociacionit të Universiteteve Ballkanike. Pas Universitetit të Tetovës me presidencën e këtij Asociacioni gjatë vitit akademik 2018/19 do të udhëheqë Universiteti “Aristoteli” nga Selaniku. Me këtë rast Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ia dorëzoi Presidencën Rektorit të Universitetit “Aristoteli”, Prof. Dr. Pericles A. Mitkas.

Fotot e lajmit

tp-bottom