Ceremonia e 50-vjetorit të themelimit të Shkollës së Lartë Pedagogjike dhe 5-vjetori i themelimit të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”

Ceremonia e 50-vjetorit të themelimit të Shkollës së Lartë Pedagogjike dhe 5-vjetori i themelimit të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”


Sot, me datë 31 janar, në sallën e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” u mbajt ceremonia e 50-vjetorit të themelimit të Shkollës së Lartë Pedagogjike dhe 5-vjetori i themelimit të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”. Të pranishëm në ceremoni ishte Ministri i Arsimit, z. Shyqiri Bytyqi, Ministri i Infrastrukturës z. Pal Lekaj, rektorë dhe përfaqësues të universiteteve publike, mësimdhënës e studentë dhe familjarë të të diplomuarëve. 

Në fjalën e hapjes, Rektori Prof. Dr. Shaban Buza, pasi përshëndeti të pranishmit, përkujtoi se  “në Nëntorin e Flamurit dhe të Pavarësisë, këtu e 50 vjet më parë u themelua Shkolla e Lartë Pedagogjike e Gjakovës, e cila në rrugëtimin e saj kulmoi me themelimin e Universitetit të Gjakovës në Marsin e Legjendave e Sakrificave para 5 vitesh” dhe se “në ditën e fundit të Janarit të “Vitit të Skënderbeut”, një ditë para Shkurtit të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, këta përvjetorë na bëjnë t’i kujtojmë të gjithë ata burra e gra, djemë e vajza që ndër shekuj u munduan dhe sakrifikuan aq shumë për të arritur tek kjo ditë.”

Në kuadër  të historikut mbi themelimit të Shkollës së Lartë Pedagogjike tha se “dëshira dhe këmbëngulësia për arsimim të lartë u kurorëzua me themelimin e Shkollës së Lartë Pedagogjike në Gjakovë si institucion i vetëm i arsimit të lartë vetëm me mësim në gjuhën shqipe. 

Në vitin shkollor 1967/68, shkolla me të tri degët mësimore të saj: Gjuhë dhe Letërsi shqipe, Matematikë dhe Histori-Gjeografi kishte të regjistruar gjithsej 794 studentë, prej tyre 247 studentë të rregullt dhe 547 studentë me korrespodencë nga trevat e ish Jugosllavisë  ku jetonin shqiptarët, përfshi ata nga   Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Më 1968 hapet Dega Biologji-Kimi. 

Në fillim të veprimtarisë në këtë shkollë kanë qenë të angazhuar 7 profesorë dhe 13 bashkëpunëtorë,  emra të njohur, si Besim Bokshi, Din Mehmeti, Rexhep Hoxha, Idriz Ajeti, Ali Aliu, Hilmi Agani, Fehmi Agani, Ali Hadri, Masar Rizvanolli, Nesim Vala, Nazmi Hyseni, Durmish Rizvanolli, Mazade Bakalli, Faik Rizvanolli, Hilmi Hasimja, Bardhyl Çaushi, Qamil Gexha dhe të tjerë.  

Në vitet e mbijetesës së arsimit të lartë, përkundër represionit, studentët me profesorë kanë organizuar protesta për realizimin e të drejtave njerëzore dhe kombëtare duke iu kundërvënë padrejtësive dhe politikës shtypëse, kanë zbatuar projektin shkollë-shtëpi, dhe një numër i madh i studentëve i është bashkangjitur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftë për liri duke dhënë edhe jetën.

Andaj, “i kujtojmë me respekt dhe Ju jemi mirënjohës përherë!”
Pastaj, në fjalimin e tij, Rektori Buza tha se  “me riorganizimin e sistemit të arsimit të lartë në Kosovë sipas sistemit të Bolonjës, hapen programet e Fakultetit të Edukimit, Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore dhe të Fakultetit të Mjekësisë si pjesë të Universitetit të Prishtinës – Qendra në Gjakovë.

Bazuar në traditën e gjatë të arsimit të lartë dhe pozitës gjeografike, ku Gjakova konsiderohet si  qendër administrative e Malësisë së Gjakovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës në Mars të vitit 2013 morri vendim për themelimin e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”. 

Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” është një institucion i arsimit të lartë i përkushtuar të krijojë, të promovojë dhe të transferojë dijen dhe t’i shërbejë shoqërisë,  të bashkëpunojë me komunitetin dhe ekonominë për ofrimin e programeve studimore atraktive dhe cilësore në fusha relevante për përgatitjen e profesionistëve e të studentëve për tregun vendor dhe evropian të punës.

Në 5-vjetorin e UGJFA-së së shpejti do të vihet gur themeli i Kampusit modern të universitetit, që do të krijojë kushte mësimi përmes sallave moderne dhe bibliotekës, hulumtimi përmes laboratorëve, edukatës fizike përmes sallës, komoditetit përmes konviktit të studentëve.”

Pastaj, të pranishmit në ceremoni me një fjalë rasti i përshëndeti edhe Ministri i arsimit z. Shyqiri Bytyqi, i cili vlerësoj punën e Universitetit të Gjakovës dhe uroj që “ky institucion të vazhdojë me nivele të tilla të përgatitjes së kuadrove”.
Sipas agjendës, Rektori Buza u ndau mirënjohje institucioneve themeluese, Kuvendit të Komunës së Gjakovës për e themelimin e SHLP-së dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës për e themelimin e UGJFA-së. 

Po ashtu, u ndanë mirënjohjet studentëve bursistë të Universiteti të Gjakovës, Klubit të volejbollit të universitetit dhe restorantit “Oksigjen” për përkrahjen e dhënë këtij klubi. 

Duke qenë se në muajin Janar ëshët zgjedhur një ditë, e cila sipas Rektori Buza “po bëhet tradicionale, është Dita e ndarjes së diplomave në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”. Është zgjedhur muaji Janar sepse ky është muaji i lindjes së Profesorit të respektuar Fehmi Agani, emrin e të cilit ka nderë ta ketë Universiteti i Gjakovës”. 

Andaj, përshëndetje e posaçme shkoj për të diplomuarit, për përkushtimin e tyre për të përvetësuar njohuritë më të mira dhe për të fituar kompetencat e nevojshme për të shërbyer për ngritjen e mirëqenies dhe shërbimit për qytetarët e vendit tonë, duke nënvizuar se “diplomimi është kurorëzimi i përpjekjes së përbashkët të studentit, familjes dhe personelit akademik.“ 

Ndarja e diplomave për studentët e diplomuar ishte pjesa përmbyllëse e ceremonisë, e cila u be nga Dekanët e njësive akademike. 

Fotot e lajmit

tp-bottom