Organet e Universitetit

Organet kryesore qeverisëse të Universitetit janë Këshilli Drejtues dhe Senati.

Këshilli drejtues është autoriteti kryesor qeverisës i Universitetit, i cili ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit.

Këshilli drejtues është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.

Senati është organi më i lartë akademik i Universitetit, i cili është përgjegjës çështjet e përgjithshme strategjike që lidhen me kërkime, studime, mësimdhënie, kriteret për pranimin e studentëve, për zgjedhjen dhe avancimin e personelit akademik, përmbajtjen e plan programeve, sigurimin e cilësisë dhe vlerësimin etj. në përputhje me detyrat dhe obligimet e tij.

Rektori është autoriteti kryesor menaxhues dhe akademik i Universitetit. Rektori i përgjigjet Këshillit të Universitetit për punën efektive, të frytshme dhe ekonomike të Universitetit, brenda detyrimeve të tij. Në këtë kontekst, rektori ka të gjitha autorizimet për realizimin e detyrave të tij, përderisa ato nuk u janë dhënë autoriteteve apo udhëheqësve të tjerë me Statut. Rektorin e ndihmojnë prorektorët dhe Sekretari i përgjithshëm i Universitetit.

Detyrat e prorektorëve caktohen nga rektori në pajtim me dispozitat e Statutit. Rektori ka të drejtë t'u delegojë përgjegjësi të plotë ligjore për një kohë të caktuar.

Sekretari është zyrtari më i lartë ekzekutiv dhe administrativ i Universitetit, me të drejta dhe përgjegjësi të veçanta të përcaktuara në kontratën e tij e cila nënshkruhet nga Rektori.

Sekretari i përgjigjet Rektorit për administrim efikas, ekonomik dhe efektiv në të gjitha nivelet e Universitetit. Në këtë pozitë sekretari i përgjithshëm përgjigjet për të gjitha çështjet që nuk janë kompetencë e organeve ose e udhëheqësve të tjerë.